Betimi* 1 së bashku me dy vëllezërit dhe motrën erdhën në SOS Fshatin e Fëmijëve në Prishtinë
në vitin 2005, pasi humbën të dy prindërit në një fatkeqësi rrugore. Të mbetur pa askënd që do të
kujdesej për ta, Betimi së bashku me vëllezërit u referuan në SOS Fshatrat e Fëmijëve. Kur
Betimi erdhi në SOS Fshat, ishte shumë e natyrshme që ai si më i rrituri, të përballej me sfida
emocionale dhe akademike. Por më mbështetjen që i duhej për të shëruar plagët emocionale, me
mundësine e ofruar për edukim të duhur, e në veçanti fakti që ai nuk do të kishte nevojë të
shqetësohej për mirëqenien e vëllezërve dhe motrës, Betimi filloi të lulëzojë dhe të mbushej me
jetë dhe energji përsëri.
Sot, ai po aplikon për studime në universitet dhe shpreson që të bëhet një avokat i së drejtës
familjare. I pyetur se çka vlerëson më së shumti nga koha e tij në SOS Fshat në Prishtinë, Betimi
u shpreh se “fakti që vëllezërit dhe motra e tij janë në rrugë të mbarë për të përmbushur
ëndërrat e tyre”.
Kjo është vetëm njëra nga mbi 1,000 historitë e fëmijëve dhe të rinjëve që kanë gjetur kujdes
dhe mbrojtje në SOS Fshatra e Fëmijëve Kosovë që nga viti 1999. Aktualisht, në SOS Fshatrat e
Fëmijëve funkisonojnë tetë (8) SOS Familje, e secila familje ofron kujdes edhe strehim
afatgjatë për 5 deri në 6 fëmijë.
Kjo punë tejet e rëndësishme që bëhet në SOS Fshatrat e Fëmijëve Kosovë do të ishte
jashtëzakonisht e vështirë pa përkrahjen e miqve dhe bizneseve. Përkundër faktit që dy vitet e
fundit ishin jashtëzakonisht sfiduese me pandeminë COVID-19, bizneset vendore, përkrahësit
tanë të kahershëm ndanë nga vetja e tyre për të ju gjendur pranë fëmijëve në nevojë.
Këtë vit, për të shtatin vit radhazi, kompania “Meridian Express” sërish organizoi fushatën
tashmë tradicionale për mbledhje të fondeve “Barazo Faturën”. Për më shumë se një muaj,
konsumatorët e marketeve të lagjes “Meridian Express’ ju ofrua mundësia që të barazojnë
faturën e tyre dhe pjesën e mbetur të kusurit nga blerja e tyre të dhurohet për SOS Fshatrat e
Fëmijëve në Kosovë. Klientët e Meridian Express mblodhën mbi 4 mijë euro, mjete këto të
cilat do të përdoren për ushqim dhe arsimim të fëmijëve tanë, duke ju siguruar që ushqimi i
tyre të jetë i shëndetshëm dhe duke ju ofruar qasje në arsimim, tekste dhe pajisje teknologjike.
Drejtori i përgjithshëm i kompanisë Meridian Express, z. Agon Gashi, u shpreh jashtëzakonisht i
lumtur me klientët e Meridian-it dhe gatishmërinë e tyre për të ndihmuar fëmijët e SOS Fshatit.
“Kjo ndihmë sado e vogël krahasuar me nevojat, ndikon drejpërdrejtë në jetën e përditshmë të
një fëmije, fëmijë ky i cili nesër mund të jetë një kontributdhënës i rëndësishëm për
komunitetin dhe shoqërinë tonë”, tha z. Gashi gjatë dorëzimit simbolik të çekut me mjetet e
grumbulluara.
Përderisa, Albana Zogu Morina, përgjegjëse për ngritje të fondeve në SOS Fshatrat e Fëmijëve
falendëroi Meridian Expressin për përkrahjen e vazhdueshme. “Miku i mirë të gjendet në ditë të vështirë, është një thënie e vjetër, por Meridian Express na është gjendur afër përgjatë viteve
si në ditë të mira e sidomos tash në këto periudha të vështirë për të gjithë. Dua ta falëndëroj
secilin klient që ka ndarë pak nga vetja e tyre për të kontribuar për shkollimin dhe mirëqenien
e fëmijëve pa përkujdesje prindërore dhe në rrezik të braktisjes,” nënvizoi Zogu-Morina.
Në anën tjetër, z. Gashi premtoi se Meridian Express do të vazhdojë të jetë afër SOS Fshatrave të
Fëmijëve dhe do të ofrojë kontributin e tij në misionin e SOS Fshatrave që asnjë fëmijë të mos
rritet i vetëm.