“Jepni pak, ndihmoni shumë”

Meridian Express fillon fushatën “Barazo Faturën” për të mbështetur fëmijët e SOS Fshatrave

Rrjeti i marketeve të shitjeve me pakicë Meridian Express, ka dëshmuar anën e përgjegjësisë sociale ndaj komunitetit ku vepron, duke ndihmuar njerëzit në nevojë. Kjo kompani për më shumë se një dekadë në partneritet me SOS Fshatrat e Fëmijëve Kosovë, në muajin e shenjtë të Ramazanit, ka organizuar fushatën për mbledhje të fondeve për fëmijët e SOS Fshatit të quajtur “Barazo Faturën”.  Gjatë kësaj fushate, klientët e Meridian Express-it kanë mundësi që gjatë blerjeve që bëjnë në rrjetet e marketeve “Meridian Express” të barazojnë faturën e tyre dhe shuma e  mbetur dhurohet për SOS Fshatrat e Fëmijëve Kosovë.

Kjo fushatë tashmë është tradicionale edhe organizohet për vitin e 11-të radhazi.  Albana Zogu Morina, përgjegjëse për mbledhje të fondeve në SOS Fshatrat e Fëmijëve Kosovë thekson se kjo iniciativë tashmë është bërë pjesë e kulturës së qytetarëve. “ Është një iniciativë unike e cila përveç promovimit të përgjegjësisë sociale nga korporatat, po ashtu vendos edhe themelet e një kulture të përkrahjes dhe mbështetjes nga qytetarët për grupet në nevojë”, thotë Zogu-Morina. Për më tepër, sipas saj, qytetarët janë mësuar me këtë fushatë dhe zakonisht kontaktojnë SOS Fshatrat për të pyetur se a ka filluar fushata, sepse, siç thotë ajo, kjo fushatë është bërë pjesë e një tradite të pashkruar të klientëve të Meridian Express-it.

Përderisa, Drejtori i Përgjithshëm i Meridian Express, Agon Gashi, nënvizon se është politikë e kompanisë që të rikthejë në komunitet dhe të përkrah sidomos grupet në nevojë. Duke falenderuar gjithë konsumatorët për mbështetje ndër të tjera z.Gashi theksoi që “Kjo fushatë tradicionale është vetëm një pjesë e asaj që Meridian Express ofron për komunitetin.  Ne besojmë që suksesi i një kompanie varet nga sa e mbështet komunitetin ku vepron”, thekson Gashi.

Duke barazuar faturën tuaj, ju mund të kontribuoni në ëndrrat e 37 fëmijëve në SOS Fshat dhe ëndrrat e  mbi 600 fëmijëve në rrezik të braktisjes të cilët përkrahen nga SOS Fshatrat e Fëmijëve Kosovë. Donacioni juaj mund të ndihmojë Kosovën të ketë një mjek më shumë, një inxhinier më shumë, një shkencëtar ose një sportist më shumë. Kontributi juaj, sado i vogël qoftë, mund të bëjë një ndryshim të rëndësishëm në jetën e fëmijëve pa përkujdes prindëror dhe në rrezik të braktisjes.